Një super lajm për tifozët e Tiranës, skuadrës kampione të Shqipërisë. Klubi bardheblu bëri me dije nëpërmjet njoftimit zyrtar se pas disa orësh bisedime me FIFA-n, kampionët e Shqipërisë kanë mundësinë të regjistrojnë lojtarë të rinj për sezonin në vazhdimësi, që i bie se ata përfundimishte do bëjnë për vete Taulant Seferin, ndërsa me shumë gjasa edhe Ferhan Hasanin, me të cilin ishin në bisedime të avansuara.
Drejtori sportiv i Tiranës, Tefik Osmani paralajmëroi sot në konferencën për shtyp se brenda pak orësh, klubit do t’i lejohet të transferojë futbollistë. Ky lajm i qetëson bardheblutë, të cilët tashmë mund të tentojnë të bisedojnë dhe të afrojnë çdo lojtar të piketuar.
Katër ditë më parë, Tirana u trondit nga vendimi i FIFA-s për bllokimin e merkatos së janarit të sezonit 2020-2021 për shkak të një detyrimi prej 200 mijë eurosh ndaj ish-lojtarit të bardhebluve Moktar Cise. Tirana bëri me dije se në këtë histori me sulmuesin nga Kongo ishte palë e tretë.