Eduart Rroca po vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Istanbulspor në Ligën e Parë turke, njofton “infOSport.mk”. Ish futbollisti i Kukësit edhe pse nuk shënoi në takimin e fundit të skuadrës së tij kundër Balikesirspor, Rroca ndihmoi bashkëlojtarët me dy asistime, duke bërë që në fund Istanbulspor të shënojë një fitore të thellë 5:0.
Serinë e golave e hapi Onur Ergun me golin e shënuar nga pika e bardhë në minutën e 23-të, ndërsa festa me shqiponjë ishte në shenjë nderi për bashkëlojtarin e tij shqiptarë, Eduart Rroca, me të cilin po festonte golin.
Goli i dytë erdhi në minutën e 31-të, me autorë Ali Jashar, i cili pasi pranoi një pasim nga Rroca, shpërtheu me të majtën e tij duke shënuar një super gol për rezultat 2:0.
Me këto shifra u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Istanbulspor realizoi edhe 3 gola të tjerë. I pari që shënoi në këtë pjesë, ishte Levent Ajçiçek, kur e djathta e tij nga distanca u tregua e saktë për rezultat 3:0, ndërsa Rroca në skenë doli sërish në minutën e 59-të, kur servoi një top të mrrekullueshëm për Ibrahim Jillmaz, i cili nuk e kishte të vështirë që nga afërsia të shënojë edhe golin e katërt në rrjetën e mysafirëve.
Rezultatin përfundimtarë, Istanbulspor 5, Balikesirspor 0, e vendosi kamerunasi Patrik Etoga, i cili nuk gaboi nga pika e bardhë.
Vlen të përmendet se me dy asistimet e bëra në këtë takim, Rroca tashmë numëron 8 sosh, ndërsa i njëjti ka shënuar edhe 5 gola, shifra këto bukur të mira për një mesfushor, transmeton “infOSport.mk”.
Ndryshe Istanbulspor falë kësaj fitore tashmë renditet në pozitën e dytë me 34 pikë, vetëm një pikë më pak se kryesuesit e Giresunspor.