Veleshta që ishte surpriza më e këndshme në pjesën vjeshtore të kampionatit në Ligën e Dytë – Perëndim, aty ku u rikthye pas plotë 20 vitesh,njofton “infOSport.mk”.
Skuadra strugane e mbylli pjesën e parë të sezonit në pjesën e dytë, ndërsa kjo ka shtuar apetitet e drejtuesve të skuadrës, që shohin mundësinë e inkuadrimit në Ligën e Parë. Kështu ata po mendojnë për përforcime cilësore, ndërsa një prej tyre pa dyshim se është edhe angazhimi i ish futbollistit të FC Shkupit, Bujamin Asani, i cili te Veleshta vjen si agjent i lirë, pasi edhe definitivisht i dha fund aventurës së tij në futbollin kosovar me skuadrën e Ferizajit.
Një gjë të tillë, Asani e bëri të ditur edhe përmes profilit të tij zyrtarë në facebook, ku ndër të tjerash kishte shkruar: “Prej sot edhe zyrtarisht nuk jam më pjesë e Ferizajit. Me këtë rast shfrytëzojë mundësinë të falënderojë drejtuesit e klubit si dhe tifo grupin “Ujqit”, të cilët në përkrahën edhe në momentet e vështira që i kishim si skuadër. Gjatë qëndrimit tim jam munduar në çdo ndeshje të jap maksimumin, ndërsa këtë më së miri e dëshmon edhe fakti se unë me Ferizajin isha bashkë edhe në Superligë, por edhe kur ishin pjesë e Ligës së Parë. Klubit të Ferizajit i uroj suksese këtë edicion, me shpresë se shumë shpejtë do të kthehen aty ku edhe e kanë vendin, në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar.
Me respekt Bujamin ASANI…”.
Asani kështu rikthehet në futbollin vendor pas plotë 18 muajve, kur për herë të fundit mbronte ngjyrat e Pobedës së Prilepit.
Ndryshe gjatë karrierës së bujshme futbollistike, Asani, përveç me Pobedën dhe FC Shkupin, në futbollin vendor ka luajtur edhe me Rabotniçkin, dhe Skopjen, ndërsa jashtë vendit përveç me Ferizajin, i njëjti kishte veshur edhe fanellën e skuadrës rumune të UTA Arad, si dhe atë të Kapaz PFK nga Azerbejxhani.
Siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, Bujamin Asani me Veleshtën ka nënshkruar kontratë deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, gjithnjë nëse ekipi i Veleshtës do të siguronte një vend në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.