Skuadra e Superligës së Kosovës, Ballkani, prej dje është akomoduar në Durrës, ku vijon përgatitjet për stinorin pranveror, njofton “infOSport.mk”. Një gjë të tillë skuadra nga Suhareka e bëri të ditur edhe përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale, ku kanë bashkëngjitur edhe disa fotografi, e ku shihet edhe prezenca e portierit të Shkëndijës, Bekim Rexhepi.
“infOSport.mk” kontaktoi me numrin një të kësaj skuadre, Arsim Kabashi, ndërsa i njëjti konfirmoi lajmin, duke na bërë me dije se portieri shkupjan është marrë në formë huazimi nga Shkëndija për 6 muajt e ardhshëm.
Rexhepi pjesë e Shkëndijës është që nga vera e vitit 2017-të, mirëpo konkurrenca e madhe te skuadra “kuqezi” ka bërë që i njëjti mos të vjen në shprehje, edhe pse i njëjti posedon shumë cilësi.
Ai me Shkëndijën numëron 19 ndeshje, ku ka pranuar 20 gola, ndërsa në 6 ndeshje ka mbajtur rrjetën të paprekur. Te Shkëndija Rexhepi kishte arritur nga Teteksi, ndërsa Ballkani do të jetë skuadra e tij e parë jashtë Maqedonisë.