Pas më shumë se 7 vitesh, Albion Avdijaj dhe Tomas Brdariç do të punojnë bashkë, po këtë herë te Vllaznia e Shkodrës. Kjo dyshe kishte qenë bashkë edhe te skuadra e njohur gjermane e Volfsburgut, kur strategu kroat luante rolin e trajnerit te ekipi U19, e ku bënte pjesë edhe futbollisti shqiptarë, Avdijaj.
Ndryshe ky i fundit Vllaznisë i bashkohet nga rradhët e Tiranës, ku pati një aventurë disa muajshe, mirëpo duke mos lënë fare gjurmë.
Gjatë ditës së sotme 26-vjeçari është prezantuar te Vllaznia dhe ka thënë fjalët e tij të para si “shkodran”.
Avdijaj shprehet se prej tre muajsh ishte në kontakte me trajnerin Brdariç dhe drejtorin Djarmati dhe se e di sesi punon trajneri për shkak se njihen më parë. “Tirana? Nuk kam çfarë flas për çfarë ka ndodhur. E kam mbyllur këtë kapitur dhe nuk më intereson më. Të shohim përpara! E kam parë lojën e ekipit dhe duhet të tregoj veten. Me Thomas jam prej dy-tre muajsh në kontakt, e kam pasur profesor në ekipin e dytë të Ëolfsburg. Kështu që kam besim dhe s’kam ç’flas më shumë thjesht e tregoj në fushë. Nuk bëj premtime për gola. Kam besim se Vllaznia mund ta fitojë titullin sepse e di sesi punon profesori dhe shoh se janë ekip, që të gjithë bashkë duan të arrijnë diçka”, – u shpreh Avdijaj gjatë prezantimit të tij te Vllaznia e Shkodrës, skuadër kjo që aktualisht udhëheq renditjen në Superligën shqiptare.