Skuadra e Feronikelit, pjesë e së cilës është edhe strugani Besmir Bojku, prej sot edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet për pjesën pranverore në elitën e futbollit kosovar, njofton “infOSport.mk”.
Pas pushimit aktiv, futbollistët e Niklit janë grumbulluar përsëri sot në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.
Skuadrës i është bashkuar edhe transferimi më i ri, Damir Kojasheviç, një emër i njohur ky edhe për futbollin tonë vendor, duke pasur parasysh se mesfushori malazez nga janari i vitit 2016-të, deri me 31 gushte të vitit 2017-të, ishte pjesë e Vardarit të Shkupit, me të cilën skuadër zhvilloi 47 ndeshje, duke regjistruar edhe 13 gola dhe 12 asiste, transmeton “infOSport.mk”.
Kojasheviç fillimisht u njoftua me shokët e skuadrës dhe stërviti së bashku me ta.
Futbollistët edhe gjatë pushimit dukeshin se kishin ruajtur formën nën instruksionet e kryetrajnerit, Klodian Duro, gjë që prodhoi një stërvitje kualitative edhe në ditën e parë.
Gjatë javës, Duro, pritet të intensifikojë ritmin e stërvitjeve, varësisht nga reagimi i skuadrës dhe forma që do të kapin lojtarët.