“infosport.mk” kontakton njërin prej kandidatëve për trajner te FC Shkupi, ja përgjigjja e tij!

FC Shkupi ende nuk ka zgjedhur çështjen e trajnerit, ndërsa kjo jep hapësira mediave për të kalkuluar me emra të ndryshëm, e që shihen si kandidat potencial për tu ulur në bankinën e skuadrës nga Çairi, që ka mbetur bosh pas largimit të strategut turk, Umit Karan.

Gjatë ditës së djeshme në media sërish në skenë kishte dalë një strateg turk, ai i Hasan Ozer, ndërsa gjithashtu edhe i boshnjakut Mladen Zhizhoviç.

“infOSport.mk” kontaktoi këtë të fundit lidhur me interesimin e FC Shkupit, ndërsa pyetja jonë e habiti të njëjtin, duke pohuar se deri në këto momente nuk e ka kontaktuar askush nga skuadra shkupjane.

“Nuk e di nga e keni këtë informacion, mirëpo askush nuk ka kontaktuar konkretisht me mua. Mirëpo të shohim, ndoshta në ditët në vijim më kontakton njeri” – u shpreh fillimisht Zhizhoviç, i cili në pyetjen tonë nëse do pranonte një ofertë nga FC Shkupi, gjithnjë nëse do e kontaktonin drejtuesit e skuadrës nga Çairi, u përgjigj: “Gjithçka varet nga ambiciet dhe projekti që ka klubi. Po them prap, shohim ditëve në vijim nëse ka diçka në këtë drejtim”.

40-vjeçari Mladen Zhizhoviç së fundmi kishte udhëhequr me mjaft sukses ekipin e Zrinjski Mostar.

Ai skuadrën nga elita e futbollit boshnjak e udhëhoqi në 28 ndeshje, duke regjistruar 17 fitore, 5 barazime dhe 6 disfata. Nën drejtimin e tij, Zrinjski Mostar, luajti në ndeshjet e Liga Europa, duke arritur deri në fazën e tretë, kur u mundën nga APOEL Nikozia, edhe atë vetëm pas ruletit të penaltive, transmeton “infOSport.mk”.

Gjatë karrierës së tij si trajner, Zhizhoviç, kishte udhëhequr edhe ekipin e Radnik Bijeljina, ndërkohë si futbollistë i njëjti përveç karrierës në vendlindje, për një vit të plotë kishte luajtur edhe në Shqipëri, duke mbrojtur ngjyrat e Tiranës.

Leave a Reply