Bomberi kërçovarë i Shkëndijës, Besart Ibraimi tashmë disa vite me rradhë është një ndër sulmuesit më të mirë në futbollin tonë vendor, ndërsa të dhënat statistikore e rendisin atë edhe në mesin e emrave të mëdhenj të futbollit europian, njofton “infOSport.mk”.
Ibraimi në renditjen e fundit të bërë nga ana e “Transfermarkt”, faqes së specializuar për statistika, renditet i katërti sa u përket golave të shënuar dhe asisteve brenda stinorit vjeshtorë.
I pari në këtë listë është sulmuesi i Bajernit të Munihut, Robert Levandovski, i cili me 19 gola dhe 5 asiste numëron 24 pikë, 3 më shumë se Besart Ibraimi, i cili me Shkëndijën në stinorin vjeshtorë kishte regjistruar 14 gola dhe 7 asistime.
Ndërkohë Mirlind Daku i skuadrës kosovare të Ballkanit, me 21 golat e tij të shënuar dhe 2 asistimet e bëra për bashkëlojtarë, renditet në pozitën e dytë, menjëherë pas Levandovskit, duke grumbulluar 23 pikë.
Në mes dy futbollistëve shqiptarë, renditet sulmuesi i skuadrës argjentinase të Municipal, Ramiro Roça, ndërsa vlen të theksohet se pas Besart Ibraimit ndodhet një sulmues gjigandë, Hari Kejn, që numëron 10 gola dhe 11 asistime, apo 21 pikë, njëjtë sikurse edhe Besart Ibraimi dhe Ramiro Roça.
Sa i përket goleadorit më të mirë në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, për stinorin vjeshtorë, Dembo Darboe, sulmuesi i FC Shkupit me 17 pikë renditet në pozitën e 12-të, menjëherë pas Bruno Fernandesh të Mançester Junajtedit.
Darboe me fanellën e FC Shkupit numëron 16 gola dhe vetëm 1 asist, duke lënë pas vetes treshen e njohur nga Premierliga angleze, Heung Min Son, Mohamed Sallah dhe Xhejmi Vardy.