Juventusi e nisi me këmbë të mbarë vitin 2021, teksa sonte si vendas me rezultatin 4:1 mundi Udinezen, duke bërë që të harrohet sadopak disfata e hidhur e fundit kundër Fiorentinës në ndeshjen e fundit për vitin që lamë pas, njofton “infOSport.mk”.
Kristiano Ronaldo hapi serinë e golave në minutën e 31-të, duke arritur në kuotën e 13 golave këtë edicion në “Serie A”, aty ku edhe kryeson listën e golashënuesve. Për portugezin ishte ky goli i 757-të në karrierë, me ç’rast ai u barazua me legjendën braziliane Pele.
Ndërkohë falë golit të dytë personal në minutën e 70-të, Ronaldo arriti shifrën e 758 golave në karrierë duke tejkaluar në këtë mënyrë “Mbretin e futbollit”, Pele. Megjithatë për tu bërë i pari, Ronaldos i nevojiten edhe 48 gola, pasi vendi i parë i takon Jozef Bican, që në karrierën e tij të bujshme, kishte realizuar 805 gola.
Ndryshe sa i përket takimit të sontëm kundër Udineze, për “biankonerët” në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Khieza dhe Dybala, ndërkohë golin e vetëm për skuadrën nga Friuli e realizoi Zigelar, transmeton “infOSport.mk”.
Me këtë fitore Juventusi arriti në kuotën e 27 pikë, 10 më pak se liderët e Milanit, teksa “bardhezinjtë” renditen në pozitën e 5-të.