Presidenti i “Lega Serie A”, Paolo Dal Pino sugjeron që Qeveria Italiane të lejojë ata që kanë marrë vaksinën kundër COVID-19 të ndjekin ndeshjet nëpër stadiume.
Duke pasur parasysh se faza e parë e vaksinimit veçmë ka filluar në Itali, numri një i futbollit italian, tashmë po shqyrton ndikimin e mundshëm në futboll.
‘Mendoj se duhet të jemi në gjendje të pranojmë qytetarë të vaksinuar në stadiume’, – deklaroi ai për ‘Radio Rai 1’.
‘Ne i paraqitëm një plan 300 faqesh Qeverisë se si mund t’i mirëpresim tifozët përsëri në stadium me siguri, me një kapacitet të reduktuar prej 20-30 përqind, por nuk morëm një përgjigje të vetme. As edhe një telefonatë. Kështu që shpresoj që të paktën ata që janë të vaksinuar të mund të lejohen të hyjnë’, – shtoi ai.
Ka pasur gjithashtu sugjerime që të gjithë lojtarët profesionistë duhet të marrin vaksinën, e cila më pas do t’i lejonte ata të luanin rregullisht pa pasur nevojë për testime të përsëritura.
‘Kjo është një çështje e Qeverisë dhe unë nuk do të merrem me këtë’, – tha Dal Pino.
Presidenti i Serie A është duke punuar në krijimin e një kanali televiziv “Lega Serie A”, i cili mund të ndihmojë në shitjen e të drejtave.
‘Ne jemi shumë afër një kontrate dhe shpresojmë që gjithçka të finalizohet në fillim të janarit. Futbolli ka humbur 600 milionë euro këtë vit, kështu që është e qartë se futja e 1.7 miliardë euro për 10 përqind të kompanisë mediatike përfaqëson një lehtësim financiar’, – përfundoi Paolo Dal Pino.