Interi është në shitje! Ky është lajmi i bujshëm që qarkullon sot në mediat italiane, një “bombë” e vërtetë që mund të ndryshojë pltoësisht dinamikat në futbollin përtej Adriatikut. Një situatë e çuditshme duke llogaritur se zikaltërit kanë investuar shumë në vitin e fundit për të ndërtuar një skuadër të denjë për kthimin e titullit kampion.
Kompania kineze që ka në pronësi klubin nga Milano, duket se nuk ka likuiditetet e mjaftueshme për të investuar si dëshiron për të përforcuar ekipin.
Kështu, bankës “Rothschild” i është dhënë mandati si për të kërkuar aksionerët që mund të blejnë 31% të aksioneve që i përkasin fondit “Lion Rock”, ashtu edhe investitorë të gatshëm të blejnë të gjitha aksionet e zikaltërve.
Një gjë e ngjashme kishte ndodhur në të dy rastet e fundit kur u bë kalimi nga një pronar në tjetrin, si me Moratin, ashtu edhe Tohir.
Në Itali fillimisht mendohej se Interi thjesht po kërkonte aksionerë për të rifinancuar dy borxhet që ka prej 300 milionë eurosh dhe 75 milionë eurosh. Por tashmë ka dale në skenë kjo hipotezë e bujshme që mund të ndryshojë plotësisht planet në klub e mund të turbullojë ambientin zikaltër në një sezon që dukej si ai i duhuri për t’u kthyer në majën e futbollit italian.