Forma e jashtëzakonshme e sulmuesit të Ballkanit, Mirlind Dakut ka tërhequr interesimin e klubit holandez, Viteshe. Autori i 21 golave të shënuar në 18 ndeshje në Superligën e Kosovës pranoi në një prononcim të fundit se një menaxher i klubit “verdhezi” e ka kontaktuar atë.
“Një menaxher i ekipit holandez Viteshe më ka kontaktuar. Por, menaxheri im tashmë po merret me këto punë. Unë jam i lumtur te Ballkani dhe besoj që do të qëndrojë deri në përfundim të sezonit” – bëri me dije 22-vjeçari për “Indeksonline”.
Daku është në pronësi të klubit kroat Osijek, ndërsa menaxher i tij është dibrani, Shkumbin Qormemeti. Nëse ai kalon te Viteshe, do të formonte një dyshe të jashtëzakonshme sulmi me sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja, ndërsa gjithashtu do të ndiqte edhe rrugën e bashkëkombasit të tij, Milot Rashica.