Kristian Eriksen është emri kryesor i merkatos për Interin, pasi ka përfunduar jashtë planeve të trajnerit dhe drejtuesit do të kërkojnë ta shesin, për të sponsorizuar afrimin e një tjetër futbollisti në atë rol.
Për Eriksen ka interes nga klube të ndryshme të Premierligës angleze, teksa së fundmi kanë bërë hapa konkretë skuadra e Arsenalit dhe ajo e Mançester junajtedit, ndërsa mediat angleze raportojnë edhe për një shkëmbim të bujshëm.
“Djajtë e kuq” janë gati të ofrojnë kartonin e holandezit Doni Van de Bek në këmbim të Eriksen dhe propozimin e tyre zyrtar e kanë dërguar tashmë në Milano, ndërsa drejtuesit e Interit po e shqyrtojnë me kujdes.
Fantazisti holandez u transferua te Mançester Junajtedi këtë verë për një shifër prej rreth 40 milionë eurosh, por nuk ka bindur trajnerin Solskjaer dhe shpesh ka përfunduar duke parë ndeshjet nga tribuna e stadiumit.
Situata e Van de Bek dhe ajo e Eriksen janë thuajse identike, ndaj klubet mund të bien dakord edhe për një shkëmbim huazimesh deri në fund të sezonit, megjithatë vendimin final duket se do ta japë trajneri Antonio Conte, transmeton Super Sport.
Ky i fundit ka vlerësuar më shumë profile si ai i Papu Gomez, që ka bërë valixhet gati për t’u larguar nga Atalanta pas debatit me trajnerin Gasperini dhe ai i Rodrigo De Paul, kapiten i Udinezes, që luan prej 6 sezonesh në kampionatin italian.