Një lajm aspak i mirë për futbolldashësit, e aq më tepër për ata në Kosovë ka ardhur të premten nga futbollisti Lorik Aliu, i cili ka deklaruar se do ta varë atletet në gozhdë.
Një nga talentët më të mëdhenj shqiptarë e mori një vendim të tillë, pas shumë lëndimeve që e përcollën në karrierën futbollistike, ndërsa një gjë të tillë bëri të ditur përmes një postimi në profilin e tij në “facebook”.
Postimi i plotë i Aliut:
Familjarë, shoqëri, dashamirë të futbollit!
Po shfrytëzoj këtë postim për t’ju dhënë një lajm jo të mirë për mua dhe të gjithë ata që më projektuan në majat e sportit më të bukur, FUTBOLLIT.
Kam vendosur që përfundimisht t’i jap fund karrierës time si futbollist aktiv, për shkak të lëndimeve të shumta duke e cilësuar si vendimin më të drejtë.
Është tejet e vështirë që të vendos atletet në gozhdë, pasi që ëndrra më e madhe e jetës time u ndërpre e u shua shumë shpejt.
Ëndrra për tu bërë futbollist profesionist i nivelit të lartë, do ngelet në sirtarin tim, si e parealizuar përjetësisht.
Dua që t’ju falenderoj të gjithëve që më qëndruat afër nga dita e parë e deri sot, dhe bashkëndjetë me mua dhimbje, zhgënjime e triumfe, por fati deshi të përfundonte kështu.
Shihemi në sfida të reja!