Shkarkime në stafin teknik të Rabotniçkit, largojnë legjendën e klubit!

Me të përfunduar gjysmësezoni 2020/2021, kanë ardhur edhe largimet e para te Rabotniçki, përcjellë “infOSport.mk”.

Skuadra nga “Parku i Qytetit” në 18 xhirot e para grumbulloi 24 pikë, duke u renditur në pozitën e 7-të, ndërsa kjo solli pakënaqësi si duket në rradhët e “romantikëve”.

Edhe pse realisht përgjegjësia mbi rezultatet jo pozitive duhet ti takojë trajnerit, te Rabotniçki ka ndodhur e kundërta, pasi trajneri Ratko Dostaniq ka mbetur i paprekur, por jo edhe dy ndihmësit e tij, Mihajllo Shejkeroski – Shani dhe legjenda e klubit, Bazhe Ilijoski.

Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka folur pa doreza për shkarkimin e tyre për “Sport1.mk”: “Nuk e di pse jemi shkarkuar. Thjeshtë pa asnjë shpjegim ndodhi e gjithë kjo. Nuk kemi pasur asnjë konflikt, ndonjë grindje apo mosmarrëveshje. Vendosi të ndryshojë stafin e tij dhe e ndërroi”.

Sipas Ilijoskit, ai dhe kolegu i tij Shejkeroski te Rabotniçki gjatë këtyre muajve kanë luajtur rolin e statistit, pasi Dostaniq nuk ka pranuar asnjë sugjerim nga ana e tyre.

“Realisht ne si staf teknik nuk kemi punuar asgjë, vetëm shihnim nga anësh. Gjithçka ishte në duart e Ratko Dostaniq, dhe nga këtu mund të them se nuk kemi ndikuar as keq dhe as mirë sa u përket rezultateve. Gjithçka punonte vetë, sikur nuk kishte nevojë për ndihmës. Madje edhe shumë rrallë herë na pyeste për diçka, ndërsa edhe kur e bënte një gjë të tillë, Dostaniq nuk i pranonte sugjerimet tona. Ndodhte që ne si pjesë e stafit teknik të mos e dimë formacionin e ekipit deri para zhvillimit të ndeshjes. Të gjithë ne kemi për qëllim një Rabotniçki të mirë dhe askush nga ne nuk ka dobi për një Rabotniçki të dobët” – është shprehur Bazhe Ilijoski.

Leave a Reply