Tetova dhe veçanarisht klubi i Shkëndijës ka humbur një njeri shumë të rëndësishëm dhe me vlera si Shinasi Karaxhenemi, i cili ditën e djeshme ndërroi jetë.
Të ndjerin e ka kujtuar gazetari i sportit, Faton Zylbehari në emisionin e mbrëmshëm “Pasqyra Sportive” që transmetohet në TVM2. Zylbehari ka kujtuar në emision disa momente interesante që ka pasur me tashmë të ndjerin, duke i shprehur edhe ngushëllime familjes dhe të afërmeve për humbjen e tij.
“Shkëndija është një histori e bukur, posaqërisht historia e Shkëndijës ndahet në disa etapa. Me që e hapet këtë temë, dua të shpreh ngushëllime publike për familjen Shinasi Karaxhenemin,i cili sot ka ndërruar jetë, personi dhe iniciatori i parë për themelimin e Shkëndijës. Jam krenar që me atë njeri kam kaluar orë të tëra, duke përpiluar historinë e Shkëndijës, pasi në të kaluarën edhe në vikipedia, por edhe në faqen e klubit ekzistonte një histori e zhveshur, pa emra, pa detaje, pa shifra dhe pa numra. Dhe ajo që tani është e shkruar është nga unë, duke bashkëpunuar me tashmë të ndjerin, ku i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë atyre që e njohën, një njeri që ka kontribuar në atë që sot është Shkëndija”, është shprehur Faton Zylbehari në emisionin “Pasqyra Sportive” në TVM2.