Mediat serbe gjatë ditës së sotme zbuluan një lajm bombastik, e që ka të bëjë me menaxherin e njohur shqiptarë nga Tetova, Fali Ramadani. Sipas tyre, një ndër menaxherët më të njohur në Europë, pritet të marrë në pronësi klubin e ligës së parë, Maçva, që aktualisht po has në probleme të mëdha financiare.
Megjithatë një gjë të tillë kanë demantuar drejtuesit aktual të Maçva përmes një njoftimi: “Klubi i futbollit Maçva kishte shumë probleme këtë vit, presidenti Ivica Kralj u tërhoq nga klubi, ndërsa pak para përfundimit të stinorit vjeshtorë nga klubi gjithashtu u largua edhe trajneri Dragan Aniçiç. Klubi aktualisht menaxhohet nga drejtuesit aktual, të cilët do të vazhdojnë me konsolidimin e mëtejshëm, në mënyrë që të jemi sa më të gatshëm për pjesën pranverore të sezonit, në të cilën qëllimi ynë kryesor është që të mbijetojmë në rangun më të lartë të garave. Ne i mohojmë shkrimet në media të caktuara, kinse ne po zhvillojmë negociata që klubin tonë ta marrë z. Fali Ramadani, i cili ka bashkëpunim me klubet më të mëdha në vendin tonë dhe Europë. Sigurisht që do të ishte në interesin tonë që klubi ynë të ketë një bashkëpunim të tillë, por nuk ka pasur fare biseda të tilla. Klubi ka mjaft probleme në këto momente, dhe lajme të tilla të pavërteta vetëm që destabilizojnë edhe më shumë situatën tek neve. Drejtuesit aktual janë krijuesit e sukseseve më të mëdha në historinë njëqindvjeçare të klubit, dhe si të tillë kemi besimin absolut për të vazhduar ta udhëheqim klubin me sukses – thuhet në njoftimin e klubit serb të Maçva.
Kujtojmë Fali Ramadani një periudhë të shkurtër kishte qenë i kyçur edhe te Shkëndija, ndërsa vlen të theksohet se në pronësi të tij ka edhe disa emra të mëdhenj të futbollit serb, përfshirë këtu edhe sulmuesin e Realit të Madridit, Luka Joviç.