Eduart Rroca ka marrë gjithë vëmendjen në ndeshjen e javës së 15-të në Ligën e Parë të Turqisë, aty ku Istanbulspori i tij mirëpriti Bursasporin, ish skuadrën e shkupjanit, Sedat Berisha, njofton “infOSport.mk”.
Rroca ishte figura qendrore te skuadra e Istanbulsport, duke shënuar dy golat e parë dhe duke asistuar në golin e tretë, mirëpo edhe përkundër avantazhit 3:0, në fund skuadra e tij barazoi me shifrat 3:3.
Rroca golin e parë në këtë takim e realizoi vetëm pas 5 minutave lojë, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Zejbek dhe me kokë shënoi për 1:0, ndërsa vetëm pas 7 minutave me një goditje nga distanca shënoi edhe golin e dytë personal. Mirëpo këtu nuk ishte fundi i “shout” të Rrocës, i cili në minutën e 70-të pasoi për kapitenin Onuer Ergun, i cili shënoi një super gol nga largësia.
Dhe kur u mendua se Istanbulspor do arkëtojë 3 pikë të reja, ashtu nuk menduan edhe mysafirët nga Bursa, të cilët brenda 20 minutave shënuan 3 gola. Akman në minutën e 72-të shënoi golin e parë, derisa në të 76-tën Ajdogan ngushtoi rezultatin e vendasve në 3:2. Golin e tretë dhe të barazimit, Bursaspor e gjeti në minutën e 93-të përmes Atasajar.
Ky gol prishi festën e vendasve por edhe të Eduart Rrocës, i cili në 10 ndeshje numëron 4 gola dhe 5 asistime. Përveç tij titullarë te Istanbulspor ishte edhe Kristal Abazaj, i cili luajti deri në minutën e 60-të, transmeton “infOSport.mk”.
Pas këtij barazimi, Istanbulspori mbetet në pozitën e 8-të me 22 pikë, 5 më pak se kryesuesit e Keciorengucu.