FC Shkupi stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e dytë, mirëpo ambiciet e klubit nga Çairi janë titulli kampion, ndaj edhe kjo skuadër nuk dëshiron ti lënë asgjë rastit.
Vetëm dy ditë pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit 2020/2021, “infOSport.mk” nga burime të sigurta mëson se drejtuesit e FC Shkupit kanë arritur marrëveshje me ish futbollistin e Slavia Pragës, Kristijan Trapanovski, i cili së fundmi ishte pjesë e Akademia Pandev.
Pikërisht te kjo skuadër 21-vjeçari kishte nisur karrierën e tij, ndërsa në gushtin e vitit 2017-të si 18-vjeçar ishte transferuar te skuadra e njohur çeke e Slavia Praga.
Duke pasur parasysh konkurrencën e madhe dhe moshën e tij të re, drejtuesit e skuadrës çeke e kishin huazuar atë nëpër skuadra të ndryshe, si Tatran Preshov, Viktoria Zhizhkov, ndërsa para se të kthehej në Maqedoni, ai kishte provuar veten edhe në Sllovaki, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Podbrezova, transmeton “infOSport.mk”.
Ndryshe Trapanovski luan si sulmues i krahut të majtë, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, përfshirë këtu edhe U21, për të cilën numëron 10 paraqitje.