Struga Trim Lum skuadra e vetme e pamposhtur në terren vendas

Struga Trim Lum e përmbylli një gjysëmsezon mjaft të suksesshëm, teksa në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtorë mundi FC Shkupin në transfertë, duke rritur ambiciet për një vend që siguron Europën, njofton “infOSport.mk”.

Vetëm 5 pikë është dallimi midis ekipit strugan dhe dy skuadrave para tyre që mbajnë pozitat 2 dhe 3, FC Shkupit dhe Makedonija GJ.P., mirëpo duke pasur parasysh se sezoni është shumë i gjatë, ku deri në mbyllje do të zhvillohen edhe 15 xhiro, atëherë gjithçka është e mundur.

Për më tepër, Struga Trim Lum në 18 xhirot e para nuk pësoi asnjë humbje në terren vendas, dhe një përsëritje e tillë e rezultateve, do të bënte që kjo skuadër vërtetë të ëndërronte Europën, qoftë edhe përmes kampionatit, apo edhe përmes Kupës, ku ka arritur deri në gjysmëfinale, transmeton “infOSport.mk”.

Ndryshe vlen të theksohet se Struga Trim Lum është skuadra e vetme në stinorin vjeshtorë të LPFMV-së, që nuk ka pësuar disfatë si nikoqir. Nga gjithsej 9 ndeshje, ekipi i Srgjan Zaharievskit, kishte regjistruar 6 fitore dhe 3 barazime, duke grumbulluar 21 pikë, një më shumë se FC Shkupi, që në këtë renditje mban pozitën e dytë, me 6 fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë, të shkaktuar pikërisht nga Struga Trim Lum në xhiron e fundit vjeshtore.

Leave a Reply