Struga Trim Lum ka shënuar fitoren e dytë sezonale nga po aq ndeshje kundër FC Shkupit, duke paralajmëruar ambiciet e saj të larta për këtë sezon, e ku pretendon Europën, njofton “infOSport.mk”.
Pas fitores 2:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Strugë, sot të besuarit e trajnerit Srgjan Zaharievski, mundën ekipin e FC Shkupit me shifrat 2:1 në Shkup.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa gjithçka interesante ndodhi në pjesën e dytë, kur edhe u shënuan që të tre golat.
Klisman Cake desh e shqeu rrjetën e portierit Naumovski në minutën e 55-të, kur me një goditje volej nga brendia e zonës shënoi për 1:0.
Ky gol bëri që skuadra vendase të zgjohet nga gjumi dhe me të gjitha forcat të kërkojë golin e barazimit, madje edhe me forca të reja në fushë, kjo pasi trajneri Umit Karan vendosi të pushojë dyshen Artan Iljazi – Besar Iseni, vendin e të cilëve e zurën Jakup Berisha dhe Sabit Bilali.
Inkuadrimi i tyre në lojë bëri që FC Shkupi të aktivizohej edhe më shumë në fazën sulmuese, teksa në minutën e 68-të pas një harkimi në zonë të Fredy Alvarez, më së larti në zonën kundërshtare kërceu Lamine Diak, i cili me kokë shënoi për 1:1.
Ky gol erdhi në momentin e duhur për skuadrën vendase, mirëpo në momentet kur mendohej se sulmet e tyre do të jenë më të shpeshta dhe më të rrezikshme në drejtim të portës kundërshtare, një gjë e tillë nuk ndodhi, madje lanë shumë zbraztira në mbrojtje, ndërsa një gjë të tillë mysafirët nga Struga e ndëshkuan në minutën e 83-të, kur me anë të Andylhadi Jahjas shënuan edhe golin e dytë.
Në këtë rast portieri Naumovski u mashtrua nga një devijim prej mbrojtësve të tij, ndërsa për gëzimin e ekipit strugan, topi përfundoi në rrjetë.
Ishte ky goli i tretë dhe i dyti rradhazi për ish futbollistin e FC Shkupit, i cili në momentet e fundit të takimit mund të shënonte edhe një gol tjetër, të tretin për Struga Trim Lum, mirëpo goditja e tij kësaj rradhe përfundoi skaj shtyllës së djathtë pingule të portierit Naumovski, transmeton “infOSport.mk”.
Në fund fitore e merituar e Struga Trim Lum, që stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e katërt, me 28 pikë, 5 më pak se FC Shkupi i vendit të dytë.