Shkëndija sot përballë Pelisterit ishte favoritë absolut, mirëpo në futboll jo çdoherë fitojnë favoritët. Ashtu ndodhi edhe sot në Tetovë, aty ku Pelisteri në fund u largua me 3 pikë shumë të mëdha, duke bërë surprizën më të madhe të javës së fundit të stinorit vjeshtorë, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse skuadra e Ernest Gjokës kishte më shumë nga loja dhe vazhdimisht kërkonte golin, megjithatë munguan rastet konkrete. Të gjitha tentativat e “kuqezinjëve” ishin shumë të zbehta dhe pa ide, ndërsa dënimi ata i gjeti në minutën e parë shtesë të takimit.
Një harkim nga e majta në zonën e tetovarëve nga ana e Pejakoviç, solli një duel mes Jan Krivak dhe sulmuesit Mihail Talevski, ndërsa sipas arbitrit kryesor Dimitar Meçkarovski, mbrojtësi i Shkëndijës kishte luajtur me dorë, me ç’rast pa menduar shumë tregoi në pikën e bardhë.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri veterani Borçe Manevski, i cili nuk gaboi dhe arriti që të mposht portierin Zahov, duke i siguruar 3 pikë mjaft të rëndësishme skuadrës së tij nga kjo transfertë e vështirë.
Pas këtij goli futbollistët e Shkëndijës u vërsulën në sulm për të gjetur golin e barazimit në ato pak minuta të mbetura, ndërsa shumë lehtë mund të ndodhte që të pësonin edhe golin e dytë, që nuk erdhi vetëm falë super intervenimeve të Kostadin Zahov.
Gardiani “kuqezi” fillimisht ndali goditjen e Mihail Talevskit, që më pas në vazhdim të aksionit të intervenojë në mënyrë bravuroze pas goditjes së Lavdrim Fazliut.
Në anën tjetër tentativën e fundit për të barazuar shifrat e kishte Arbin Zejnullahu, mirëpo goditja e tij e fuqishme me të djathtën, përfundoi disa centimetra mbi portë, transmeton “infOSport.mk”.
Për Shkëndijën ishte kjo disfata e parë këtë edicion, që erdhi vetëm në javën e fundit të stinorit vjeshtor, ku “kuqezinjtë” u shpallën kampion me 39 pikë, 6 më shumë se dy ndjekësit e afërt, FC Shkupi dhe Makedonija GJ.P.
Ndërkohë në anën tjetër për Pelisterin ishte kjo vetëm fitorja e katërt sezonale, me ç’rast këtë skuadër në stinorin pranveror e prêt një luftë shumë e ashpër për mbijetesë.