Derbi i parë në historinë e futsalit elitarë midis dy skuadrave shqiptare që gravitojnë në Komunën e Çairit, Futsal Shkupit dhe Futsal Club Arben Bajramit, u ka takuar këtyre të fundit me rezultatin 3:5, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo një ndër ndeshjet që pritej me shumë entuziazëm, mirëpo që për fat të keq e njëjta u zhvillua pa praninë e publikut, kjo tashmë për arsye të njohura, “Covid 19”.
Pjesa e parë u takoi kushtimisht thënë miqve, të cilët në pushim shkuan me rezultatin 4:1. Përforcimi më i fundit i Futsal Club Arben Bajrami, Igor Stojkovski, hapi serinë e golave në këtë ndeshje, ndërsa Futsal Shkupi u kthye në lojë falë ekzekutimit të saktë të Eljesa Nezirit nga goditja e 9-të metërshit.
Mirëpo ishte kjo gjithçka që bënë vendasit në këtë pjesë të parë, kur janë në pyetje golat e shënuar, pasi në vijim Agim Ramadani dhe sërish Igor Stojkovski dhe Berat Ramadani shënuan për Futsal Club Arben Bajrami.
Pjesa e dytë në tërësi foli për “bardhekaltërit” nga Çairi, ndërsa Futsal Club Arben Bajrami ishte përqëndruar mjaft mirë në mbrojtje, për të ruajtur epërsinë e 3 golave të krijuar gjatë pjesës së parë.
Edhe përkundër dominimit të plotë, Futsal Shkupi nuk arriti të gjejë rrugën e duhur drejt golit kundërshtarë, madje edhe në momentet kur luante pa portier. Pikërisht në ato momente skuadra vendase u ndëshkua duke pësuar edhe golin e 5-të. Mirëpo kjo nuk demoralizoi ata, pasi si kampion të vërtetë vazhduan të sulmojnë dhe të kërkojnë golin. Rastet për ekipin vendas renditeshin si në shiritin filmik, mirëpo mungonte finalizimi, që më në fund erdhi pas një aksioni të bukur, kur Ismet Ceka shënoi për 5:2. Nuk vonoi shumë dhe Dragan Petroviç pas një aksioni individual shënoi edhe golin e tretë, ndërsa fare në fund vlen të theksohet se të dyja skuadrat humbën nga një mundësi të mirë për të shënuar të paktën edhe nga një gol tjetër, transmeton “infOSport.mk”.
Fillimisht mysafirët humbën mundësinë me anë të Stojkovskit për të realizuar nga pika e 9-të metërshit, ndërsa Erkan Seferi në sekondat e fundit humbi penalti për Futsal Shkupin.
Në fund fitore për FC Arben Bajramin, që parakalon në renditje Futsal Shkupin, skuadër kjo që të martën do të zhvillojë edhe një derbi tjetër, atë kundër KMF Proekt Ciko në Valandovë.