Futsal Shkupi shumë shpejtë ka harruar barazimin e para 3 ditëve kundër Zhelezarecit, duke u rikthyer te fitorja mu në momentin e duhur, para ndeshjes derbi me Futsal Club Arben Bajrami, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra “bardheblu” nga Çairi, sonte në rolin e mysafirit mundi Velesin me rezultatin 7:2 (4:1). Ishte kjo një ndër fitoret më të thella të këtij edicioni në Ligën e Parë për Futsal Shkupin, skuadër kjo që pas 7 xhirove të para ka regjistruar 6 fitore dhe vetëm 1 barazim.
Fitoren e Futsal Shkupit e paralajmëroi Nikolla Dimovski me një super gol, teksa i njëjti shënoi edhe golin e dytë, kur sërish kaloi në epërsi skuadrën “bardhekaltër”, pas barazimit të vendasve.
Eljesa Neziri realizoi golin e tretë për Futsal Shkupin, ndërkohë një tjetër super gol nga ana e Dragan Petroviç, bëri që Futsal Shkupi ta mbyll pjesën e parë me rezultatin 4:1.
Fillimi i pjesës së dytë solli nga një gol në secilën anë, me Ismet Cekën, i cili shënoi për 5:1 fillimisht, që më pas vendasit të zbusin rezultatin në 5:2. Megjithatë kjo ishte e tëra që bënë vendasit në këtë ndeshje, kjo pasi fundi i takimit kaloi në shenjën e talentit Burak Memedi, i cili realizoi dy golat e fundit, që njëherit ishin realizimet e tij të para këtë edicion, transmeton “infOSport.mk”.
Futsal Shkupin në 5 ditët e ardhshme e presin dy super derbi. Fillimisht të dielën si vendas do të mirëpresin Futsal Club Arben Bajramin, ndërkohë të martën (15 dhjetor) do të jenë mysafir të KMF Proekt Ciko, skuadër kjo që aktualisht kryeson renditjen me 21 pikë, 2 më shumë se Futsal Shkupi i vendit të dytë.