Reali i Madridit falë fitores 2:0 ndaj Borusia Menhengladbahit i’a doli të sigurojë një biletë për në ndeshjet e nokaut fazës në Ligën e Kampionëve, edhe atë vetëm në xhiron e fundit të grupit “B”, aty ku më së keqi ka kaluar skuadra e Interit.
“Zikaltërit” sonte në Xhuzepe Meaca barazuan pa gola ndaj Shakhtar Donetskut, duke humbur edhe mundësinë e të luajturit në Liga Europa në pranverë.
Kështu skuadra e Antonio Kontes, edhe pse shihej si njëra ndër skuadrat pretendente për të kaluar lehtësisht grupin, në fund përfundon vetëm në pozitën e katërt me 6 pikë, 4 më pak se lideri i grupit Reali i Madridit, të cilës skuadër për në raundin tjetër në Ligën e Kampionëve, pavarësisht disfatës, i bashkohet Gladbahu, derisa Shakhtar Donetsku do të luaj në Liga Europa.
Fitoren këtyre të fundit sonte ndaj gjermanëve të Gladbahut, ua siguroi sulmuesi francez, Karim Benzema, me dy gola të shënuar që në pjesën e parë.
NDESHJET TJERA – Mançester Siti shënoi fitore 3:0 ndaj Olimpik Marsej, duke e mbyllur grupin “C” në pozitën e parë me 16 pikë, 3 më shumë se Porto, që triumfoi në Athinë me shifrat 2:0 ndaj Olimpijakosit.
Fitore 2:0 edhe për Bajernin dhe Atletiko Madridit, që arsyetuan rolin e favoritit në grupin “A”, duke kaluar në fazën tjetër si dy skuadrat e para në tabelë, me kampionët në fuqi të Bajernit që e mbyllën në pozitën e parë me 16 pikë, derisa Atletiko Madridi u ndal në pozitën e dytë me 9 pikë. Pranverë europiane, mirëpo në Liga Europa do të ketë për Salzburgun që me 4 pikë në fund u rendit në pozitën e tretë.