FC Shkupi edhe në momentet më të bukura që po kalon këtë edicion, nuk arriti që të shënojë fitore përballë rivalit të përjetshëm, Vardarit, njofton “infOSport.mk”. Pas disfatës në ndeshjen e parë në arenën “Todor Proeski”, armata e madhe “bardheblu” kërkonte fitoren në këtë takim, që u zhvillua në kompleksin sportiv pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Pas 90-të minutave rezultati doli të jetë i barabartë 1:1, edhe pse nga ajo që pamë veçanërisht në pjesën e dytë, të dyja skuadrat mund të shënonin edhe ndonjë gol tjetër dhe të mbyllnin ndeshjen në favor të tyre.
Ndryshe të parët që avansuan në këtë përballje ishin miqtë, kur në minutën e 77-të Darko Micevski shënoi nga pika e bardhë, të cilën e kishte përfituar vetë.
Ky gol solli shumë nervozizëm në rradhët e skuadrës vendase, por edhe shumë zëvendësime nga ana e trajnerit Umit Karan, i cili me çdo kusht kërkonte të paktën barazimin.
Mirëpo një qasje e tillë mund të ju kushtonte shumë “bardhebluve” nga Çairi, pasi në minutën e 85-të Vardari kishte rastin më të mirë të ndeshjes për të dyfishuar rezultatin. Fillimisht Mirçevski goditi shtyllën pingule të portierit Iljazi, ndërsa topi i devijuar përfundoi në këmbët e Cvetanoskit, i cili edhe pse e kishte të lirë rrugën drejt golit, goditi traverzën.
Në anën tjetër kostarikani Fredy Alvarez provoi të shënonte me një goditje të fuqishme nga distanca, por portieri Iliq ishte në nivel të detyrës, duke devijuar topin në rivënie nga këndi.
Mirëpo kjo goditje sikur paralajmëroi golin e barazimit që erdhi në minutën e 89-të. Besart Krivanjeva, i cili në ato momente mbante shiritin e kapitenit, pas largimit të Besar Isenit, me një diagonale të gjatë nga gjysmëfusha gjeti në zonën kundërshtare sulmuesin më në formë në kampionatin tonë vendor, Dembo Darboe, i cili pasi qetësoi topin me këmbën e djathtë, pa menduar shumë me të majtën e tij shënoi një gol mjaft të bukur, për të barazuar shifrat në 1:1.
Pas këtij goli FC Shkupi sërish u vërsul në sulm, duke lënë shumë zbraztira në mbrojtje, por që në dy raste futbollistët e Vardarit u gjindën në pozitë jashtëloje, duke mos rrezikuar portierin Artan Iljazi, i cili edhe sot ishte në nivel të detyrës, pavarësisht se shkaktoi dhe pranoi golin nga pika e bardhë.
Ishte ky barazimi i 5-të për FC Shkupin këtë edicion dhe vetëm i dyti si vendas, me ç’rast kjo skuadër vazhdon të ruajë pozitën e dytë në tabelën e klasifikimit, mirëpo tashmë me 4 pikë më pak se Shkëndija e Tetovës, që në ndeshjen tjetër mundi Bellasicën me rezultatin 2:0.