Derbi i madh i kryeqytetit u mbyll me barazim, Shkëndija nuk ndalet

Derbi i kryeqytetit midis FC Shkupit dhe Vardarit është mbyllur me barazimin 1:1, duke bërë që tashmë skuadra nga Çairi të ngec 4 pikë ndaj liderit aktual, Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.

Barazimin e skuadrës së Umit Karan, skuadra tetovare e shfrytëzoi në maksimum, duke marrë fitoren e pritshme ndaj Bellasicës (2:0).

Bejtullai në pjesën e parë dhe goleadori Ibraimi në të dytën realizuan për Shkëndijën golat e fitores, ndërkohë që të dy golat në ndeshjen midis FC Shkupit dhe Vardarit u realizuan në pjesën e dytë, që doli të jetë më interesante, pasi u krijuan edhe më shumë raste.

Darko Micevski nga penaltia kaloi në epërsi Vardarin në minutën e 77-të, ndërkohë një minutë para fundit të takimit, golashënuesi më i mirë i kampionatit, Dembo Darbo barazoi shifrat.

Barazim arriti edhe Struga në terrenin e mbushur me ujë në Kratovë kundër Sileksit (0:0), ndërkohë Renova pësoi disfatë 3:1 ndaj Rabotniçkit në Shkup.

Makedonija GJ.P falë dopietës së Khalid Basid, mundi Pelisterin me shifrat 2:1, ndërsa me po të njëjtin rezultat, Akademia Pandev, falë dy golëshit të Marjan Radeskit mundi Borecin. Skuadra nga Velesi kishte avansuar e para në takimin e zhvilluar në Strumicë, falë golit të Marjan Ristovskit gjatë pjesës së parë, mirëpo pjesa e dytë doli të jetë e tëra për Akademia Pandev, që realizoi fitoren e parë pas 3 ndeshjeve.

LPFMV – Java 16

FC Shkupi 1:1 Vardari
Shkëndija 2:0 Bellasica
Rabotniçki 3:1 Renova
Sileksi 0:0 Struga Trim Lum
Makedonija Gj.P 2:1 Pelisteri
Ak.Pandev 2:1 Boreci

Leave a Reply