Edinson Kavani dhe Entoni Martial janë dy mungesat e mëdha te Mançester junajtedi për ndeshjen e fundit në kuadër të grupit “H” të Ligës së Kampionëve kundër gjermanëve të RB Lajpcig.
Të dy sulmuesit u zëvendësuan gjatë fitores të së shtunës 3:1 kundër Uest Hamit në Premierligë, ku “Djajtë e Kuq” luftuan nga deficiti i gjysmës së kohës për të fituar përmes golave nga Poll Pogba, Mason Grinvud dhe Markus Rashford.
Menaxheri Ole Gunnar Soslskjaer kishte shpresuar se dëmtimet do të ishin afatshkurtra, por ai konfirmoi të hënën se as Lavani dhe as Martial nuk do të udhëtojnë në Gjermani për ndeshjen e sotme.
Megjithatë, një lajm i mirë është rikthimi i portierit titullarë, David De Gea, i cili humbi ndeshjen ndaj Uest Hamit, ndërsa pjesë e ekipit që do të udhëtojë për në Gjermani do të jetë edhe Luka Shou, i cili kishte munguar për plotë një muaj pas një problemi muskulor.
“Davidi është përsëri në skuadër, Luka po ashtu, Edinson dhe Entoni kanë vetëm pengesa të vogla por ata nuk do të bëjnë udhëtimin,” u tha Solskjaer gazetarëve.
Kujtojmë në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Olld Traford”, Mançester Junajtedi kishte triumfuar me rezultatin 5:0. Skuadrës së Solskjaer në këtë mënyrë do i shkonte për shtati edhe një barazim, duke pasur parasysh se të dyja skuadrat pas 5 xhirove të para kanë nga 9 pikë, ashtu që Junajtedi me një pikë nga ky takim të paktën do të siguronte pozitën e dytë, duke pasur parasysh se skuadra e tretë që ka gjithashtu 9 pikë, Paris Sen Zhermeni, është favorit absolut përballë turqve të Bashakshehir.