Java e 7-të në elitën e futsalit vendor sot na servoi ndeshjen midis Juventus Seravës dhe Mal Ajaksit, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja u zhvillua në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava, ndërsa në fund skuadra vendase e Juventusit shënoi fitore 6:2, pavarësisht faktit se mysafirët avansuan të parët.
Për barazim të rezultatit u përkujdes Dionis Ukshini, ndërsa Besart Lusjani për herë të parë kaloi në epërsi Juventus Seravën. Mirëpo goli i tij nuk ishte i fundit i shënuar gjatë pjesës së parë, që u mbyll me rezultatin e barabartë 2:2.
Në pjesën e dytë në fushë luante vetëm Juventus Serava, që shënoi plotë 4 gola të tjerë, me autorë Sali Ganiu, Omer Sulejmani, Dionis Ukshini dhe Gani Ismaili.
Edhe pse nuk u regjistrua në listën e golashënuesve, vlen të përmendet se talenti 20-vjeçar, Furkan Shabani, asistoi në 3 gola, ndërsa në çastet e fundit të takimit portieri Bujar Buçi arriti që të pres një penalti, të cilën mysafirët e përfituan pas 5 ndërhyrjeve të palejuara të lojtarëve vendas.