Në moshën 87 vjeçare sot ka ndërruar jetë një nga legjendat e mëdha të FC Shkupit, Bajrush Baftijari. Ky i fundit ishte njëri nga kontribuesit më të mëdhenj te skuadra nga Çairi, që nga vitet e hershme të jetës së tij.
Ai si i ri fillimisht kishte mbrojtur ngjyrat e këtij klubi, duke luajtur në rolin e anësorit të majtë, ndërsa karrierën e tij e kishte filluar në vitin 1952, duke dhënë kontribut të madh për ekipin e FC Shkupit.
Pas përfundimit të karrierës së tij në vitin 1965, Baftijari angazhohet te ish Slloga Jugomagnati edhe si trajner kryesor me ekipin e seniorëve, deri në vitet e 80-ta.
Më pas klubi nga Çairi e kishte angazhuar atë të punojë me gjeneratat e reja, me të cilët kishte një përkushtim të madh dhe arriti rezultate të larta, duke nxjerrë emra të mëdhenj të futbollit shkupjan, ndërsa pensionimi i tij nga detyra si trajner erdhi në vitin 1998.
Stafi i “infOSport.mk” shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes Baftijari, duke lutur Zotin që ta mëshirojë të ndjerin.