Drita e Gjilanit falë fitores ndaj Ballkanit 2:1 të dielën morri kryesimin në renditjen tabelare në Superligën e Kosovës, ndërsa kjo ka shtuar ambiciet e skuadrës së Ardian Nuhiut që deri në fund të mbetet në këtë pozitë.
Mirëpo për të bërë një gjë të tillë, drejtuesit e skuadrës së Dritës janë të vetëdijshëm se skuadrës i nevojiten përforcime cilësore.
Një ndër emrat që përmendet si përforcim i mundshëm për këtë skuadër, siç raporton e përditshmja kosovare “Zëri”, është emri i Liridon Latifit, i cili aktualisht luan me skuadrën e Pushkash Akademi në elitën e futbollit hungarez.
26-vjeçari i cili dallohet për teknikën dhe shpejtësinë e tij, është zhvilluar si futbollist në Kosovë derisa karrierën e ka nisur te Flamurtari i Prishtinës.
Me FC Prishtinën i ka fituar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës sikurse me Skënderbeun e Korçës në Shqipëri, ekip me të cilin ka marrë pjesë edhe në fazën e grupeve të Liga Europa.
Latifi gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me Sheriff Tiraspolin e Moldavisë.
Sulmuesi kosovar i ka regjistruar edhe pesë paraqitje me Kombëtaren A të Shqipërisë, ndërsa karrierë ka bërë edhe me grupmoshën U-21 dhe U-19.