Shkëndija zbret me këmbë në tokë Makedonija GJ.P (VIDEO)

Shkëndija i ka treguar vendin Makedonija GJ.P., duke e demoluar në derbi ndeshjen e javës së 14-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

5:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në Tetovë, aty ku gjatë 45 minutave të para fjalën kryesore e kishte treshja sulmuese Elezi-Doriev-Ibraimi.

Ky i fundit në minutën e 10-të mjaft mirë asistoi në shtyllën e dytë për talentin 16-vjeçar, Dashmir Elezi, i cili me kokë shënoi nga afërsia për rezultat 1:0.

Kombinimet dhe kanosjet nga treshja sulmuese vazhdonin, ndërsa në minutën e 35-të një tjetër pasim nga Ibraimi, Lupçe Doriev e kurorëzoi me golin e dytë në rrjetën e Stevkovskit.

Kjo dyshe ishte në element edhe në minutën e 39-të, mirëpo këtë herë me role ndryshe. Doriev asistoi për Ibraimin, i cili nga afërsia shënoi golin e 12-të sezonal.

Me shifrat 3:0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Shkëndija shënoi edhe dy gola të tjerë, para së gjithash duke iu falënderuar të disponuarit Valmir Nafiu, i cili pas inkukadrimit në lojë në minutën e 76-të, sikur dëshironte ti dëshmonte trajnerit Ernest Gjoka se vendi i tij është në formacionin titullarë.

Nafiu në minutën e 86-të shënoi një gol nga krahu i djathtë, ndërsa po nga i njëjti krah në minutën e 89-të mjaft mirë depërtoi në zonën kundërshtare, duke asistuar për Enur Totren, i cili në ato momente shënoi për rezultatin përfundimtarë, Shkëndija 5, Makedonija GJ.P 0.

Shkëndija vazhdon serinë e ndeshjeve pa humbje, tashmë plotë 14 ndeshje, që e mbajnë këtë skuadër në krye të renditjes me 30 pikë, dy më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë, derisa Makedonija GJ.P me 26 pikë tashmë renditet në pozitën e 3-të.

Leave a Reply