Liga e Kampionëve, fitore mes drithërimave për Interin, Berisha dhuron spektakël në Moskë (VIDEO)

Sonte u luajtën 8 sfidat e vlefshme për grupet e Ligës së Kampionëve ku u regjistruan në total 19 gola. Padyshim që vëmendja më e madhe ishte e përqëndruar në grupin “B”. Shakhtari edhe në ndeshjen e dytë të grupit mundi Realin e Madridit, kësaj rradhe me shifrat 2:0.

Ka qenë e vështirë të mendohet një reagim kaq i fuqishëm i Shakhtar, që dy ndeshjet e fundit në grup i ka humbur me rezultate të thella, 6:0 dhe 4:0 nga Borusia Menhengladbah.

Këta të fundit në ndeshjen e zhvilluar në Gjermani u mundën nga Interi me shifrat 2:3, kjo edhe për “fajin” e VAR.

5 minuta nga fundi gjermanët barazuan shifrat me sulmuesin Plea, por goli u anulua me VAR për pozicion jashtë loje. Ky ishte triumfi i parë në edicionin e sivjetëm të Ligës së Kampionëve për Interin.

Gjithsesi Interit do t’i duhet ende punë për t’u kualifikuar. Përveç se janë të detyruar të fitojnë ndaj Shakhtarit ndeshjen e fundit, ata do të jenë me “veshë” nga Spanja, ku do të luhet njëkohësisht sfida mes Realit dhe Menhenglabahut. Një barazim në këtë përballje do të “digjte” zikaltërit e Antonio Kontes.

Ndërkohë për sa i përket sfidave të tjera të zhvilluara mbrëmjen e sotme, Liverpuli dhe Marseja triumfuan në shtëpi. Ndërkohë ka zhgënjyer në shtëpi Atalanta e Berat Gjimshitit, që nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1:1 ndaj danezëve të Midtjilland.

Në ndeshjen e orës 18:55 në kuadë të grupit  “A”, Salzburgu i Mërgim Berishës mundi si mysafir në Rusi Lokomotivën e Moskës. Kjo ndeshje kaloi pikërisht në shenjë të futbollistit shqiptarë, i cili realizoi dy gola, duke e çuar në 4 numrin e golave të shënuar këtë edicion në 5 ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Me barazime u mbyllën edhe dy sfidat e tjera, Atletiko-Bajern dhe Porto-Siti. Vlen të theksohet fakti se Bajerni në përballjen e sotme nuk kishte thuajse 70% të formacionit, duke iu dhënë shansin rezervave dhe futbollistëve të rinj.

A

Zhoao Feliks në minutën e 26-të kaloi në epërsi Atletiko Madridin, ndërsa Myller 4 minuta pa përfunduar takimi nga pika e bardhë barazoi shifrat në 1:1. Për dallim nga ndeshja në “Vanda Metropolitano” që dhuroi nga një gol në secilën anë, rrjetat pushuan në ndërkohë në Dragao, aty ku mejdanin ndajë Porto dhe Mançester Siti.

Leave a Reply