E ardhmja e Elseid Hysaj është shumë larg Napolit, kjo pasi shkodrani nuk ka pranuar të rinovojë me skuadrën nga “San Paolo”. Një gjë të tillë raportojnë mediat përtej Adriatikut ku insistojnë se futbollisti tashmë ka gjetur edhe ekipin e radhës dhe që në muajin janar do të firmosë me të një marrëveshje për të ardhmen.
Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, edhe pse merret në konsideratë nga trajneri Xhenaro Gatuzo, dëshiron që të jetë protagonist i vlerësuar në çdo ndeshje e të mos vihet në diskutim sa herë që të luajë.
Për këtë arsye, ka kërkuar dhe ka gjetur akord me Romën. Mediat italiane kanë mësuar se ka një akord parimor mes palëve që në verë dhe te Roma e presin krahëhapur në sezonin e ardhshëm lojtarin, i cili atje do të ketë përfitime më të ndjeshme financiare meqë do të largohet nga Napoli me parametra zero.
Kështu, Hysaj i bashkohet Marash Kumbullës në repartin mbrojtës të Romës, duke formuar edhe aty një grup shqiptar, siç është te skuadra tjetër kryeqytetase, Lacio, për një derbi të Romës që do të flasë gjithnjë e më shumë shqip.