Futsal Shkupi e ka nisur me këmbë të mbarë edhe edicionin e ri në Ligën e Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”. Fitore 3:0 përballë Blu Mexhik në raundin paraeliminatorë të Ligës së Kampionëve, me ç’rast skuadra “bardhekaltër” nga Çairi, ndryshe nga viti i kaluar, kjo për shkak pandemisë, me vetëm një ndeshje arriti të kualifikohet në mesin e 32 skuadrave më të mira në futsalin europian.
Fitoren e Futsal Shkupit në këtë ndeshje e paralajmëroi Erkan Seferi me golin e realizuar në minutën e 6-të nga pika e bardhë. Goleadori i Futsal Shkupit e përfitoi vetë këtë goditje dënimi, që më pas edhe vetë ta ekzekutojë, duke bërë që festa “bardhekaltër” të nis që në ato momente.
Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë një goditje e Nikolla Dimovskit me të majtën e tij, i cili kishte edhe ndihmën e Soares, bëri që mysafirët edhe për herë të dytë të kapitulojnë para djelmoshave “bardhekaltër”, të cilët fare në fund me anë të Eljesa Nezirit shënuan edhe golin e tretë, me të cilin vulosën fitoren e madhe në ndeshjen e parë të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, aty ku tashmë për herë të 3-të po prezantojnë Maqedoninë.