Pas startit të mirë në kampionat, ku në 4 xhirot e para të sezonit të ri regjistruan 4 fitore të njëpasnjëshme, lojtarët e Futsal Shkupit sonte do të zhvillojnë edhe ndeshjen e tyre të parë të edicionit 2020/2021 në kuadër të Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.
Kundërshtarë i “bardhekaltërve” nga Çairi në ndeshjen e raundit parakualifikues do të jetë skuadra e Blu Mexhik FC Dublin, skuadër kjo që tashmë 4 ditë është akomoduar në Shkup.
Skuadra e Futsal Shkupit shihet si favorite në këtë përballje,ndërsa një gjë të tillë nuk fsheh edhe numri 10-të i tyre, Eljesa Neziri, i cili në një prononcim për faqen zyrtare të klubit është shprehur: “Jemi gati për këtë ndeshje të madhe. Jemi stërvitur mirë gjatë këtyre ditëve, ashtu që besoj se nëse realizojmë urdhërat e trajnerit ashtu siç duhet edhe në parket, nuk do ta kemi të vështirë për të kaluar këtë raund. Nuk fshehim se jemi favorit dhe se e duam fitoren, edhe pse në ndeshje të këtilla, ku luhet vetëm një ndeshje, duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.
Ndeshja Futsal Shkupi – Blu Mexhik FC Dublin zhvillohet në palestrën “Boris Trajkovski” me fillim në ora 19:45, mirëpo për shkak pandemisë “Covid 19”, e njëjta do të zhvillohet pa praninë e publikut.