Çfarë po ndodh me Shkëndijën, ndeshja e tretë pa fitore brenda një jave (VIDEO)

Shkëndija nuk po kalon aspak momente të mira në futbollin vendor. Pas eliminimit në Kupë, dhe barazimit javën e shkuar në shtëpi ndaj FC Shkupit, të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka nuk arritën fitoren dot edhe në transfertën ndaj Struga Trim Lum, ndaj së cilës skuadër barazuan me shifrat 1:1, njofton “infOSport.mk”.

Vendasit ishin të parët që avansuan në këtë ndeshje. Një harkim nga e djathta nga ana e Bunjamin Shabanit gjeti në shtyllën e parë sulmuesin Marjan Altiparmakovski, i cili ktheu topin me kokë në shtyllën e dytë, aty ku mjaft mirë reagoi Aleksandar Ristevski dhe nga afërsia shënoi për 1:0.

Ishte ky rasti i parë më konkret nga ana e futbollistëve vendas, të cilët e kurorëzuan me gol, ndërsa këtë epërsi e mbronin me mjaft sukses deri në minutën e 77-të, kur në skenë te “kuqezinjtë” nga Tetova doli Besart Ibraimi.

Bomberi kërçovar sakrifikoi edhe vetën në momentet e shënimit të golit, teksa devijimin e dobët të portierit Mirseloski, e shfrytëzoi në maksimum, duke shënuar në shtyllën e dytë, kur edhe pati kontakte me të njëjtën, vetëm e vetëm që të tund rrjetën e vendasve.

Edhe pas këtij goli, Shkëndija sulmonte me shpresë se do të rigjent golin e dytë, mirëpo pa sukses, pasi rrjetat pushuan deri në fund, me ç’rast në fund të dyja skuadrat në fund ndanë pikët.

Shkëndija vazhdon të ruaj pozitën e parë, tashmë me 27 pikë, një më shumë se Makedonija GJ.P e vendit të dytë, që sot barazoi pa gola në derbin kundër FC Shkupit. Në anën tjetër Struga Trim Lum me 20 pikë mban pozitën e katërt në renditje, duke vazhduar serinë e rezultateve pa humbje.

Leave a Reply