Qatip Osmani pak çaste më parë edhe zyrtarisht u emërua si trajner i Renovës, njofton “infOSport.mk”. Ky lajm gëzoi tej mase edhe tifozët e skuadrës nga Xhepçishti, që sezonin e ri nuk e nisi aspak mbarë, duke pasur parasysh se pas 12 xhirove të para Renova ndanë vetëm pozitën e fundit me Bellasicën, që të dyja skuadrat me nga 8 pikë.
Qatip Osmani pritet të ketë një detyrë të vështirë për të rikthyer në binarët e duhur skuadrën e Renovës, te e cila sërish do të punojë me krahun e tij të djathtë, Bashkim Livorekën, me të cilin kishte punuar edhe te Shkëndija, dhe së fundmi te FC Shkupi.
Përveç kësaj dyshe në stafin e trajnerëve, do të jenë edhe Behar Ukalli, që do luaj rolin e trajnerit kondicional, ndërsa Enver Ramadani do të jetë trajner i portierëve, transmeton “infOSport.mk”.
Qatip Osmani debutimin e tij në bankinën e Renovës do ta ketë të dielën në ndeshjen kundër Borecit.