Vëllazërimi i Kërçovës të mërkurën në terren vendas mirëpriti Kadinon në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të në Ligën e Dytë – Perëndim, ndeshje kjo që kaloi në shenjë të gazetarit tashmë të ndjerë, Refik Zenku, njofton “infOSport.mk”.
Gazetari shumë vjeçarë i sportit me origjinë nga Kërçova ditë më parë humbi jetën me “Covid 19”, ndërsa futbollistët e Vëllazërimit në shenjë respekti para fillimit të ndeshjes zbritën në fushë me fanella që bartnin foton e të ndjerit, ndërsa gjithashtu mbajtën edhe një minutë heshtje për këtë ikonë të gazetarisë në vendin tonë.
Mbi të gjitha Vëllazërimi Refik Zenkun e nderoi me fitore në fund, edhe atë duke iu falënderuar talentit Albulen Imerit, i cili realizoi një eurogol të vërtetë. Me të shënuar, Imeri vrapoi drejt bankinës për të marrë në duart e tij fanellën me fotone Refik Zenkut, të cilit edhe ia kishte kushtuar golin.