Pas FC Shkupit nga garat e Kupës është eliminuar edhe Shkëndija. Dy skuadrat këto që konsideroheshin si favorite për të prekur finalen e madhe, eliminohen që në fazën çerekfinale, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Umit Karan u eliminua nga Akademia Pandev pas 90 minutave lojë me rezultatin 2:1, ndërkohë Shkëndija pas ruletit të penaltive u dorëzua përballë Sileksit, që në fund shënoi fitore 4:2.
Ndryshe ndeshja në kohën e rregullt në Kratovë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa ekzekutimi i penaltive doli të jetë i kobshëm për futbollistët e Shkëndijës, pasi humbën dy prej tyre.
Denis Ristov hapi serinë duke mposhtur Rexhepin, pavarësisht se ky i fundit i lexoi anën futbollistit kundërshtarë. Penaltinë e parë për Shkëndijën e ekzekutoi Ennur Totre, ndërsa goditjen e tij mjaft mirë e lexoi portieri Trajkovski.
Futbollisti Drashkoviç ishte i dyti në rradhët e Sileksit që u ndalë pranë topit, ndërsa Rexhepi bëri që “kuqezinjtë” të buzëqeshin në ato momente, duke pritur penaltinë e mbrojtësit serb. Valmir Nafiu shënoi në serinë e dytë dhe barazoi shifrat në 1:1, ndërsa u kundërpërgjigjë në anën tjetër Kostovski që realizoi për 2:1 në serinë e tretë, që nuk rezultoi me fat për Shkëndijën, pasi Besart Ibraimi humbi mundësinë për të barazuar.
Në serinë e katërt i saktë te Sileksi u tregua edhe Serafimovski, i cili shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Rexhepit, ndërsa në anën tjetër i saktë te Shkëndija ishte Bruno Dita, që zbuti rezultatin në ato momente në 3:2.
Megjithatë në serinë e fundit, atë të pestë te Sileksi i pagabueshëm ishte Karçevski, që shënoi edhe golin e fitores, me Sileksin që iu gëzua kualifikimit në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 4:2.
Kujtojmë përveç Sileksit në gjysmëfinale do të luajnë edhe Struga Trim Lum, Akademia Pandev dhe Makedonija GJ.P.