Barcelona dhe Juventusi janë dy skuadrat e rradhës që kanë siguruar kualifikimin për në ndeshjet e 1/8 së finales në kuadër të Ligës së Kampionëve Europian, pas Seviljës dhe Çelzit, që një gjë të tillë kishin bërë më herët.
Barcelona, edhe pse pa Lionel Messin dhe disa mungesa të tjera, fitoi 0:4 në Ukrainë ndaj Dinamo Kiev.
Që të 4 golat “katalunasit” i realizuan në pjesën e dytë. Mbrojtësi Dest zhbllokoi shifrat dhe më pas erdhi dygolëshi i Martin Braituajt dhe rrjeta e Antuan Grizman.
Sfida tjetër e grupit G mes Juventusit dhe Ferencvaroshit, përfundoi me shifrat 2:1 për “Zonjën e vjetër”.
Reprezentuesi shqiptarë, Myrto Uzuni, u dhuroi avantazhin kampionëve të Hungarisë në minutën e 19-të, duke gjetur golin e parë në takimin e parë si titullar në grupet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube.
“Bardhezinjtë” e Pirlos gjetën barazimin me anë të Kristiano Ronaldo në minutën e 35-të, ndërsa fare në fund, në minutat shtesë, Alvaro Morata shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve, duke i prishur festën Myrto Uzunit.
Dortmundi dhe Lacio nuk gabuan në sfidat shtëpiake, duke hedhur hapa të sigurt drejt kualifikimit.
“Verdhezinjtë” mposhtën 3:0 Klub Bryzh në “Sinjal Iduna Park”. I përhershmi Erling Haaland shënoi një dygolësh, teksa rrugën e rrjetës e gjeti edhe ylli tjetër i ekipit gjerman, Xhadon Sanço.
9 pikë numëron Dortmundi pas javës së katërt në grupin F, një më shumë se Lacio e vendit të dytë.
“Bardhekaltërit” fituan 3:1 në “Olimpiko” kundër Zenit. Çiro Immobile shënoi dy gola në këtë ndeshje, ndërsa një tjetër realizoi Marko Parolo, teksa rusëve nuk u vleu rrjeta e Artem Dzyuba.
Mançester Junajtedi e kishte detyrë të fitonte në shtëpi dhe tani i duhet një pikë për të siguruar kualifikimin. “Djajtë e kuq” triumfuan me rezultatin 4:1 kundër turqve të Bashakshehir. Bruno Fernandesh e zhbllokoi ndeshjen me një goditje potente në hyrje të zonës, ndërkohë që më pas shënoi edhe golin e dytë.
“Vulën” e vendosi Rashford me golin e tretë me penallti, kurse miqtë në pjesën e dytë shënuan një gol nderi me Turuç. Ky i fundit realizoi nga një goditje dënimi një gol mjaft të bukur. Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar në këtë ndeshje, pasi në minutat shtesë Daniel Xhejms shënoi edhe golin e katërt për “Djajtë e Kuq”.
Junajtedi kryeson renditjen me 9 pikë, ndërkohë që PSG e RB Leipzig, që u përballën mes tyre në një ndeshje që u mbyll 1:0 për francezët, numërojnë nga 6 pikë.
Kampionët e Francës ishin të dënuar të triumfonin sonte, në mënyrë që të vijojnë garën për të kaluar fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Një penalti e shndërruar në gol nga braziliani Nejmar, i dha fitoren PSZh-së, që tani duhet të fitojë ndeshjet në vijim.