Burhan Aliji është një emër i njohur për futbollin në Maqedoni. Kumanovari i cili ka një karrierë të bujshme në futbollin vendor, aktualisht është pjesë e skuadrës së Ohrid Lihnidos, që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, aty ku sërish po shkëlqen, edhe pse tashmë në një moshë më të shtyer, shkruan “infOSport.mk”.
Megjithatë edhe përkundër moshës, klasi dhe performanca mbetet e njëjta te ky super futbollistë, i cili në ndeshjen e fundit të javës së 12-të kundër Dritës së Bogovinës shënoi një super gol, duke e ndihmuar skuadrën e tij për të regjistruar fitoren më të thellë të këtij edicioni.
Ohrid Lihnidos shënoi fitore 5:0, ndërsa Burhan Aliji realizoi pa dyshim golin më të bukur të ndeshjes.
Ai morri përgjegjësinë për të ekzekutuar një goditje dënimi nga larg portës dhe nga një pozitë si gjysmë korne, ndërsa edhe kjo pozitë nuk e pengoi atë që të shënojë një super gol dhe të na rikujtojë në ditët e tij më të mira.
31-vjeçari Aliji numëron më shumë se 70 ndeshje në Ligën e Parë, duke qenë pjesë e skuadrave të Shkëndijës, Milanos, Bashkimit, Teteksit, me të cilën skuadër ka luajtur edhe në ndeshjet e Liga Europa, ndërsa përvoja e tij po e ndihmon edhe ekipin e Ohrid Lihnidos, që vitin e kaluar luftonte për mbijetesë, ndërsa tashmë po lufton për kreun e tabelës.