Trajneri i Kukësit, Skënder Gega, prej rreth dy javësh është i izoluar në shtëpinë e tij në Tiranë pasi ka rezultuar pozitiv me “COVID-19”.
Ai ka munguar nën drejtimin e skuadrës në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Besës dhe sot për javën e tretë të kampionatit kundër Teutës. Për herë të parë që pas infektimit, Gega ka pranuar të flasë ekskluzivisht për ‘Panorama Sport”, duke treguar detaje të gjendjes aktuale që po kalon pas infektimit me koronavirus.
“Prej 13 ditësh shoqërohem nga ethe të forta, temperaturë të lartë dhe me infeksion në mushkëri. Kam preferuar të mjekohem nga shtëpia. Ndihem shumë i lodhur, sepse infeksioni më jep temperaturë. Presidenti Gjici ka insistuar që të shtrohem në spital, por kam zgjedhur të mjekohem nga shtëpia. Ditët në vazhdim do të shikojmë. Kurrë nuk kam qenë kaq i sëmurë. Uroj që çunat e ekipit që janë prekur të mos kenë shqetësime”, – është shprehur Gega për gazetën e njohur shqiptare.
Tashmë mbetet për t’u parë se kur trajneri do të rikthehet të drejtojë ekipin, teksa gjasat janë që të mungojë edhe të mërkurën në sfidën e javës së katërt që Kukësi i tij do ta zhvillojë kundër Laçit.