Futbollisti shqiptarë me origjinë kosovare, Ylldren Ibrahimaj ka shkëlqyer sot me fanellën e Vikingut, duke e ndihmuar këtë skuadër që të shënojë fitore 2:1 në transfertën ndaj Sarpsborg 08, njofton “infOSport.mk”.
Që të tre golat u regjistruan në pjesën e dytë, ndërsa të parët që avansuan ishin vendasit e Sarpsborg 08, kur Utvik shënoi në rrjetën e Astubo.
Mirëpo kjo ishte e tëra që bënë vendasit, pasi në vazhdim gjithçka kaloi në shenjën e Ibrahimaj, i cili shënoi dy gola të shpejtë. 24-vjeçari, i cili debutoi me Kosovën në miqësoren e muajit janar kundër Suedisë (ndeshja e vetme me dardanët), barazoi takimin në minutën e 60-të, ndërsa në minutën e 72-të me një super gol nga distanca arriti që i vetëm të përmbys skuadrën e Sarpsborg 08.
Ibrahimaj dhuroi një goditje fantastike me të majtën e tij, që nuk kishte kundërpërgjigje nga ana e portierit vendas. Falë “dopietës” së sotme Ibrahimaj është ngjitur në kuotën e 6 golave, dhe vetëm dy futbollistë të Viking kanë më shumë se ai gola, edhe atë dy futbollistët tjerë shqiptarë, Zymer Bytyqi (9 gola) dhe Veton Berisha (12 gola), që luajtën titullarë edhe në takimin e sotëm.
Me këtë fitore Vikingu ngjitet në kuotën e 36 pikëve, duke u renditur në pozitën e 7-të.