Derbi i madh shqiptarë midis Shkëndijës dhe FC Shkupit në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë është mbyllur me barazimin 1:1, njofton “infOSport.mk”.
Vendasit ishin skuadra që kishin më shumë në posedim topin, mirëpo në anën tjetër ishte FC Shkupi që kishte rastet më të mira për gol, edhe pse në fund “bardhekaltërit” nga Çairi realizuan vetëm një.
Ndeshja nisi me dy raste të volitshme të FC Shkupit, mirëpo Darboe nuk arriti të shënojë edhe nga një pozitë ideale, duke qëlluar traverzën nga afërsia.
Në anën tjetër Shkëndija që diktonte tempo, në minutat shtesë të pjesës së parë ndëshkoi mysafirët, duke shënuar me anë të talentit, Dashmir Elezi.
Ky i fundit ishte zgjidhja e trajnerit Ernest Gjoka në formacionin e parë, ndërsa në fund doli të marrë gjithë vëmendjen, pasi përveç që shënoi golin debutues në ndeshjen e tij debutuese me fanellën e ekipit të parë të Shkëndijës, talenti nga Tetova u bë golashënuesi më i ri në historinë e futbollit elitar në vend.
Goli i tij ishte i vetmi i shënuar gjatë pjesës së parë, ndërsa vetëm pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë, FC Shkupi me anë të Ilirid Ademit barazoi shifrat në 1:1. Fredy Alvarez mjaft mirë harkoi në zonën e “kuqezinjëve”, aty ku më s miri u gjind sulmuesi nga Gostivari, i cili me kokë në ato momente barazoi shifrat në 1:1. Ishte ky goli i dytë në vazhdimësi për Ademin, pas atij ndaj Rabotniçkit dhe i treti në përgjithësi këtë edicion me fanellën “bardhekaltër”.
Në vazhdim të ndeshjes të dyja skuadrat kërkonin golin e fitores, me mysafirët që ishin sërish më këmbëngulës, mirëpo tentativat e Gudiabit, Darboe dhe Jakup Berishës fare në fund nuk dhanë rezultatin e duhur, me ç’rast në fund derbi i sezonit u mbyll pa fitues, transmeton “infOSport.mk”.
Pas këtij barazimi Shkëndija vazhdon të kryesojë renditjen me 26 pikë, ndërkohë FC Shkupi tashmë renditet në pozitën e 3-të me 24 pikë, kjo pasi Makedonija Gj.P falë fitores së sotme ndaj Rabotniçkit, me 25 pikë pozicionohet në vendin e dytë.