Dashmir Elezi pa dyshim se ishte surpriza e Ernest Gjokës në formacionin e Shkëndijës sot përballë FC Shkupit, mirëpo në fund doli që talenti “kuqezi” të marrë e gjithë vëmendjen, shkruan “infOSport.mk”.
Talenti i Shkëndijës që dje mbushi 16-vjet, kishte debutimin e tij me fanellën e ekipit të parë, ndërsa për më tepër i njëjti në minutat shtesë të pjesës së parë arriti që të shënojë në rrjetën e Artan Iljazit, duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e futbollit elitar në vend, transmeton “infOSport.mk”.
Deri më tani këtë rekord e mbante sulmuesi shkupjan, Suhel Muharremi i cili me fanellën e FC Shkupit kishte shënuar me 16 vjet e dy muaj, ndërsa Elif Elmas, futbollisti aktual i Napolit, golin e parë debutues në Ligën e Parë e kishte shënuar me 16 vjet e 6 muaj.