Cake sërish në element, tashmë specialistë i golave “alla Quaresma” (VIDEO)

Struga Trim Lum vazhdon me paraqitjet e mira dhe rezultatet befasuese, teksa sot në kuadër të javës së 12-të mundi Renovën minimalisht 1:0, njofton “infOSport.mk”. Golin e vetëm të takimit e realizoi mbrojtësi Klisman Cake, i cili në këtë mënyrë arriti të shënojë edhe golin e dytë sezonal në vazhdimësi, pas atij ndaj Vardarit javën e fundit.

Dhe ajo që sërish tërheq vëmendjen, është fakti se Cake shënoi sërish në stilin “alla-Quaresma”, duke e goditur topin me pjesën e jashtme të këpucës.

Këtë kryevepër, futbollisti 21-vjeçar nga Pogradeci, e realizoi në minutën e 34-të, kur pasi pranoi një top nga Jahja, vendosi të gjuaj nga një distancë prej rreth 25 metrash, ndërsa falë goditjes së tij mjeshtërore, topi aq sa i afrohej portës, aq po i largohej portierit Veli, i cili nuk arriti të ndalë dot festën e futbollistit të Struga Trim Lum.

Ky gol në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e skuadrës strugane, që pas 12 xhirove renditet në pozitën e katërt me 19 pikë, ndërkohë Renova me vetëm 8 pikë mbetet në pozitën e parafundit.

Leave a Reply