Liga e Kombeve ka mbyllur siparin e këtij edicioni, ku të panjohurat që mbeten janë vetëm emrat e fituesit të “Final Four” dhe të dy skuadrave që do të zbresin në Ligën D pas ndeshjeve të “play-off”. Ndaj që tani ka një ide të qartë se si do të jetë turneu në edicionin e adhshëm, i cili zhvillohet në gjysmën e parë të vitit 2022.
Kombëtarja shqiptare që tani i ka mësuar emrat e skuadrave që do të ketë përballë në short, të ndara sipas vazove në bazë të renditjes në grupe.
Në vazon e parë janë skuadrat që kanë rënë nga Liga A, përkatësisht Bosnje e Hercegovina, Islanda, Suedia dhe Ukraina, ndonëse për këtë të fundit duhet pritur më parë vendimi i UEFA-s për ndeshjen që nuk u zhvillua me Zvicrën.
Në vazon e dytë janë ekipet që janë renditur të dytat në ligat përkatëse në këtë edicion, përkatësisht Norvegjia, Skocia, Rusia dhe Finlanda. Në vazon e tretë renditen Rumania, Izraeli, Serbia dhe Irlanda, ndërkohë vetë Shqipëria renditet në vazon e katërt përkrah Malit të Zi, Armenisë dhe Sllovenisë, të cilat nuk mund t’i ketë kundërshtare në short.
Qartësisht, pritet që sfidat në edicionin tjetër të jenë shumë të forta për Shqipërinë, pasi në çdo vazo që ka më sipër, ka ekipe me emra shumë më cilësorë se ata me të cilët është përballur në këtë edicion, në të cilin triumfoi por jo pa vuajtje. Për më tepër, edicioni i ardhshëm është shumë i rëndësishëm, pasi do kthehet skema që çon në “play-off” për pjesëmarrjen në Euro 2024.
VAZO 1: Bosnje e Hercegovinë, Islandë, Suedi, Ukrainë |
VAZO 2: Finlandë, Norvegji, Rusi, Skoci |
VAZO 3: Irlandë, Izrael, Rumani, Serbi |
VAZO 4: Armeni, Mali i Zi, Slloveni, Shqipëri |