Përveç rezultateve, te Arsenali nuk po shkon mirë edhe grupi brenda skuadrës. Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, brenda ekipit londinez kishte ndodhur një luftë midis dy lojtarëve të ekipit të parë në stërvitje.
Fjala është për brazilianin David Luiz dhe spanjollin Dani Sebajos, me këtë të fundit i cili e kishte pësuar më së shumti, pasi i gjakosur kishte përfunduar në fushë.
Të dy u dërguan fillimisht në dhomën e zhveshjes, dhe më pas u duhej të kërkonin falje para shokëve të tyre, në mënyrë që skuadra të vazhdonte me stërvitjen e zakonshme.
E gjithë kjo ndodhi javën e kaluar në një nga stërvitjet e “topçinjëve”, ndërsa vetëm tani ka dalë në opinion.
Menaxheri Mikel Arteta do të mbajë një konferencë për shtyp përpara se me skuadrën e tij të jenë mysafir të Lids Junajtedit të Ezgjan Alioskit të dielën, ndërsa pikërisht në të njëjtën pritet të ketë shumë pyetje rreth kësaj ndodhie.
Arsenali pas 8 xhirove të para në Premierligë ka tubuar vetëm 12 pikë, duke u renditur aktualisht në pozitën e 11-të.