Sokol Çikalleshi, falë “dopietës” së shënuar sot përballë Bjellorusisë, ka hyrë në listën e golashënuesve më të mirë të përfaqësueses shqiptare, pasi ka arritur shifrën e 10 golave të shënuar me fanellën “kuqezi”.
Futbollisti i Konjaspor tashmë renditet si i 7-ti në renditjen e përgjitshme të golashënuesve shqiptarë, duke iu bashkuar dy emrave që kanë bërë histori me kombëtaren shqiptare, si Igli Tare dhe Sokol Kushta.
Kështu para tij mbeten vetëm pak emra, të cilët mund t’i arrijë në sfidat e ardhshme të kuqezinjve, duke filluar nga Hamdi Salihi e Altin Rraklli që kanë shënuar nga 11 gola gjatë karrierës së tyre me fanellën e kombëtares shqiptare.
Ndërkohë, me 4 golat e tij të shënar gjatë këtij edicioni të Ligës së Kombeve, Çikalleshi ngjitet mes lojtarëve më rezultativë, duke qenë krahë për krahë me Kristian Eriksen të Danimarkës dhe Timo Verner të Gjermanisë, teksa para tyre ndodhen vetëm Erling Haland i Norvegjisë me 6 gola të shënuar dhe Eran Zahavi i Izraelit me 5 gola të shënuar.